Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kanë arrestuar në flagrancë një 39-vjeçar nga Kosova, i cili tentoi të hynte në territorin e Republikës së Shqipërisë me municion luftarak dhe armë të ftohta në automjet.
Në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, policia kaloi për kontroll të detajuar në vijë të dytë automjetin që drejtohej nga shtetasi M. L. Gjatë kontrollit, u konstatuan dhe u sekuestruan 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik, i ngjashëm me atë të Policisë, si dhe automjeti.
Pas kryerjes së veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës arrestuan shtetasin M. L., 39 vjeç, banues në Kosovë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


