Ylber Ramadani dhe Leçe kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme në Serinë A, duke mposhtur Udinezen me rezultatin 2-1 falë një goli të shënuar në minutat e fundit të takimit. Ky sukses i lejon verdhekuqtë të distancohen disi nga zona e rrezikut në renditje.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare kishte nënvizuar edhe para ndeshjes rëndësinë e këtij takimi për rikthimin e ekipit në garë për mbijetesën dhe Leçe ia doli të marrë tri pikët, edhe pse me shumë vuajtje deri në fund.
“Të jem i sinqertë, nuk e meritojmë këtë pozicion në renditje. Kisha thënë para ndeshjes që kjo ishte një mundësi e madhe. Kjo fitore na jep vazhdimësi dhe më shumë besim për ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Ramadani për “DAZN”.
Ai theksoi se Leçe e kishte nën kontroll lojën për pjesën më të madhe të takimit. “Përveç episodit të penalltisë në pjesën e parë, ne e dominuam ndeshjen dhe kishim gjithmonë topin. Falënderoj tifozët tanë që na mbështesin pa pushim. Duhet të vazhdojmë kështu, kemi edhe 14 ndeshje për të arritur objektivin”, përfundoi mesfushori shqiptar, një nga shtyllat kryesore të Leçes në Serinë A.


