Vonesa në certfikimin e rezultatit vonon krijimin e institucioneve
Pas rinumërimit të votave të kandidatëve për deputet fillojnë të rrjedhin afatet për ankesa mbi procedurat e administruara në Qendrat e Numërimit, procedura këto që ligjërisht marrin disa ditë kohë. Sipas vëzhguesve të institutit KDI, në skenarin më optimal, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të muajit shkurt, ndërsa në rastin më të keq, në fund të shkurtit apo edhe në fillim të marsit, në varësi të vendimmarrjes mbi ankesat potenciale. Çdo vonesë në certifikimin e rezultatit rrjedhimisht e vonon edhe themelimin e institucioneve të reja, konstituimin e Kuvendit, i cili deri më 4 mars është i obliguar po ashtu ta zgjedhë presidenten apo presidentin e Kosovës, 30 ditë para se presidentes aktuale, Vjosa Osmani, t’i përfundojë mandati më 04 prill.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha një ditë më parë se ai është i gatshëm dhe ka interesim për një bashkëpunim me opozitën, por që ky bashkëpunim të jetë reciprok, sipas Kurtit mbetet të shihet në muajin shkurt, nëse në Kuvend “ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–opozitë”. “Muaji shkurt është muaji që do të na tregojë a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë që nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston”, tha Kurti.
Bllokim i ri?
Por, nëse deri më 04 mars nuk mund të zgjidhet në parlament presidenti/ja e re, sipas Kushtetutës vendi automatikisht shkon në zgjedhje të reja. Dhe pikërisht bazuar mbi këtë afat që është në limitet e tij, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, analisti Artan Muhaxhiri, i tha më herët DW-së se ekziston rreziku që partitë politike mund t’i shfrytëzojnë afatet ligjore për bllokada të reja institucionale. Këtë e bazon duke iu referuar zhvillimeve nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, pas të cilave formimi i institucioneve u zvarrit për mbi dhjetë muaj, për të përfunduar me zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor. “Afatet për konstituimin e Kuvendit, krijimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit janë skajshmërisht të shkurtra, por gjithsesi pasojë logjike e sjelljeve absurde të spektrit politik gjatë vitit të kaluar. Rrethanat aktuale janë krejtësisht të ndryshme me ato të bllokadës së vitit të kaluar, sepse tash sfidohen themelet e sistemit shtetëror”, thotë Muhaxhiri. Sipas tij, “nuk ka më hapësirë për komfor arrogant dhe teknikalitete vonuese”.
“Mbetja pa tri shtyllat e shtetit (lexo: Parlament, Qeveri dhe President) do të ishte tragjedi politike, prandaj edhe papërgjegjshmëria tashmë tradicionale e liderëve dhe partive do të duhej ta arrinte një fund, nëse alternativë është rreziku i vakumit institucional dhe ecja nëpër tehun e arkitekturës sonë kushtetuese”, thotë Muhaxhiri.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 28 dhjetor, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, fitoi më shumë se 51 për qind të votave dhe si e vetme me pakicat jo serbe që kanë 10 vende mund ta formojë Qeverinë. VV ka siguruar 57 vende në Kuvendin me 120 ulëse. Nga partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka siguruar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6. Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit, ka fituar 9 vende, dhe një vend nga serbët e fitoi deputeti Nenad Rashiq./DW