Kryebashkiaku i Crans-Montana, Nicolas Féraud, ka deklaruar se është gati të marrë përsipër çdo përgjegjësi që mund të rrjedhë nga hetimet për zjarrin tragjik në barin “Le Constellation”, gjatë natës së ndërrimit të viteve, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, në stacionin turistik të Zvicrës.
Pas kritikave të forta për mungesën e një kërkese faljeje gjatë konferencës për shtyp të 6 janarit, Féraud ka pranuar se ka gabuar. Në një deklaratë për agjencinë Keystone-SDA, ai tha se në atë moment u përqendrua vetëm te aspekti institucional i ngjarjes, duke lënë pas emocionet dhe dhimbjen njerëzore.
“Qëllimi im ishte të informoja publikun, por sot e kuptoj se duhej të kisha lënë më shumë hapësirë për ndjesë dhe empati,” ka thënë ai.
Kryebashkiaku pranoi se një pjesë e opinionit publik e sheh si një nga përgjegjësit e mundshëm për tragjedinë, por theksoi se vendimi përfundimtar do t’i takojë Prokurorisë së Përgjithshme. Ai shtoi se ndien një peshë të madhe emocionale, edhe pse ende nuk është marrë në pyetje nga autoritetet hetuese.
“Humanisht, pa spekuluar mbi drejtësinë, ndiej peshën e përgjegjësisë. Nuk jam dëgjuar ende, por nëse do të rezultoj fajtor, do të marr përsipër çdo gjë që do të më kërkohet,” u shpreh Féraud.
Ai theksoi se dhimbja për viktimat, shumë prej të cilëve të rinj, dhe për të plagosurit që ende vuajnë pasojat e zjarrit, është e pashlyeshme. Kryebashkiaku zbuloi gjithashtu se ka nisur terapi psikologjike, ndërsa po përballet edhe me kërcënime për vdekje.
“Kjo traumë do të më shoqërojë gjithë jetën. Plaga është ende e hapur, zemra ime është e thyer. Ky është momenti më i errët i jetës sime. Kam nisur terapi dhe besoj se do të zgjasë për një kohë të gjatë. Kërcënimet për vdekje e rëndojnë edhe më shumë këtë barrë,” tha ai.


