TIRANË– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Shefi i qeverisë e ka cilësuar këtë ftesë si një gjest tejet domethënës ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo forcon më tej marrëdhëniet mes SHBA-së dhe popullit shqiptar.
Ndër të tjera Rama shtoi se kjo ftesë përbën gjithashtu një sinjal të qartë për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.
“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë. Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht.”– shkruan Rama.
Kujtojmë se ftesë për të qenë pjesë e “Bordit të Paqes” ka marrë edhe Shqipëria. Vetë Rama bëri publike letrën e marrë nga Trump, ndërsa një ditë më parë konfirmoi edhe pranimin e kësaj ftese.
Rama ka falenderuar Trump për ftesën për të shërbyer si anëtare themeluese e këtij bordi ndërkombëtar ndërsa shton se për të është privilegj dhe nder të shprehi gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët./Radar.al


