Një ditë që vështirë se do ta harrojë ishte fundjava e fundit për Joi Nuredini. Sulmuesi i ri i Genoas bëri debutimin e tij në Serie A në minutat e fundit të ndeshjes që skuadra e drejtuar nga Daniele De Rosi barazoi 0-0 në fushën e Parmës.
Pas përfundimit të takimit në stadiumin “Tardini”, futbollisti italo-shqiptar i datëlindjes 2007 shprehu gjithë emocionin dhe gëzimin e tij përmes një postimi në profilin zyrtar në Instagram. “Çfarë të them, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj lehtë: erdhi debutimi im në Serie A.
E kam pasur këtë ëndërr që i vogël dhe sot më në fund u bë realitet. Falënderoj shumë trajnerin dhe gjithë stafin për besimin, si edhe të gjithë ata që kanë besuar tek unë që në fillim”, shkroi Nuredini, duke përjetuar një moment të veçantë në hapat e parë të karrierës së tij në elitën e futbollit italian. Nuredini do të ketë tashmë mundësinë që të bindë trajnerin De Rosi për të marrë edhe më shumë minuta e pse jo të ndjekë hapa si Berisha apo Asllani te Empoli.


