Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, i cili parashikon dy korsi shtesë në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, ka arritur tashmë në 86% të realizimit, njoftoi drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, gjatë një inspektimi në kantier.
Sipas tij, janë përfunduar punimet për shtresën e binderit pothuajse në të gjithë gjatësinë e projektit. Në nyjen e Laknasit janë kryer punimet e pilotimit, ndërsa në nyjen e Kasharit janë realizuar pilotat. Po ashtu, vijojnë ndërhyrjet tek Ura mbi Lanë dhe ndërtimi i segmentit nga mbikalimi i Kasharit deri tek Ura e Limuthit, ku ka nisur edhe zgjerimi i trupit të rrugës.
Punimet po realizohen sipas grafikut, me fokus përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore. Projekti, i nisur në shtator 2024, do ta kthejë autostradën nga kategorisë “B” në kategorinë “A”, duke mundësuar shpejtësi deri në 130 km/orë dhe duke e vendosur në parametrat e autostradave të reja që po ndërtohen në vend.
Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës po ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, pasi ka mbaruar ciklin e jetës. Investimi i përgjithshëm për rehabilitimin dhe zgjerimin e të gjithë rrugës shkon në 250 milionë euro.
Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve midis kryeqytetit dhe qytetit bregdetar, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Përfundojnë 86% e punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës


