Tragjedia e rëndë që ndodhi në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, natën e Vitit të Ri, ku dhjetëra të rinj humbën jetën, ka tronditur thellë edhe disa familje italiane. Mes viktimave ndodhej edhe 16-vjeçari Giovanni Tamburi nga Bolonja.
Babai i tij, sipërmarrësi italian Giuseppe Tamburi, pronar i një kompanie verërash, ka rrëfyer mes lotësh për mediat dhimbjen e humbjes së të birit dhe lidhjen e fortë që kishte me të.
“Giovanni ishte dielli im. Jetoja me të dhe për të. Ishte i dashur nga të gjithë, i sjellshëm, i mirë, shumë i aftë në shkollë dhe në sport. Djali ideal për çdo prind”, shprehet ai.
Tamburi tregon se kishte kujdestarinë e djalit që kur ishte i vogël dhe se jetonin së bashku në Bolonja. Për tre ditë me radhë, familja jetoi mes shpresës dhe ankthit, deri në momentin kur analizat e ADN-së konfirmuan lajmin më të rëndë.
Giovanni kishte shkuar në Crans-Montana për pushimet e fundvitit. Natën e ndërrimit të viteve kishte dalë fillimisht për darkë me shokët dhe më pas kishte shkuar në festën e organizuar në lokalin “Le Constellation”.
“E dija që do të shkonte atje. E pashë për herë të fundit kur i dhashë paratë për mbrëmjen”, rrëfen i ati.
Sipas tij, kur pa trupin e djalit, ai nuk ishte shumë i djegur, të paktën në fytyrë, çka forcon dyshimet se 16-vjeçari mund të ketë humbur jetën nga asfiksia e tymit, teksa përpiqej të shpëtonte.
“Giovanni ishte atletik, jam i sigurt se bëri gjithçka për të shpëtuar, por ndoshta ishte shumë vonë”, thotë ai.
Babai i të miturit ngre akuza të forta për mungesë të masave të sigurisë në lokal, duke theksuar se nuk kishte një dalje të vërtetë emergjence.
“Ajo që më lë pa fjalë është se nuk kishte një dalje reale për emergjencë. Ishte vetëm një portë e vogël dhe e mbyllur. Nëse rregullat do të ishin respektuar, sot askush nuk do të kishte vdekur”, shprehet ai i indinjuar.
Giuseppe Tamburi thotë se e njihte lokalin prej vitesh dhe se kishte qenë edhe vetë aty në të kaluarën, por kurrë nuk e kishte menduar se do të bëhej vendi ku do të humbiste jetën i biri.
“Giovanni ishte plot jetë… dhe aty e humbi. Nuk ka dhimbje më të madhe për një prind”, përfundon ai.
Ndërkohë, autoritetet zvicerane vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e pronarëve të lokalit.


