Flota e Marinës Ushtarake Greke u pasurua sot zyrtarisht me fregatën e parë të tipit Belharra, që mban emrin “Kimon”.
Ceremonia e emërtimit dhe ngritjes së flamurit grek u zhvillua në kantieret detare të Lorient-it, në Francë, në prani të përfaqësuesve politikë dhe ushtarakë të Greqia dhe Francës. Sipas traditës detare, pas përfundimit të ceremonisë, ekuipazhi hipi në anije, duke shënuar hyrjen formale të saj në shërbim aktiv.
“Kimon” është e para nga katër fregatat Belharra që Greqia do të marrë në kuadër të bashkëpunimit strategjik me Francën në fushën e mbrojtjes. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, nga Brukseli, foli për një fazë të re modernizimi të Forcave të Armatosura, ndërsa ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias, i pranishëm në ceremoni, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve detare të vendit.
Fregata “Kimon” është një anije shumëfunksionale me aftësi për mbrojtje ajrore, luftë kundër-nëndetëse dhe kundër anijeve sipërfaqësore. Ajo është e pajisur me sisteme moderne sensorësh, teknologji elektronike të avancuar dhe arkitekturë digjitale, si dhe ka kapacitete operimi me helikopter dhe mjete ajrore pa pilot.
Në ditët në vijim, anija do të lundrojë drejt Brestit për pajisjen me armatim dhe pritet që në janar të mbërrijë në Bazën Detare të Salaminës. Dy fregata të tjera të së njëjtës klasë pritet të dorëzohen brenda vitit 2026, ndërsa ndërtimi i njësisë së katërt ka nisur tashmë.
Greqia ka miratuar një plan afatgjatë modernizimi të Forcave të Armatosura deri në vitin 2036, me një buxhet prej rreth 25–26 miliardë eurosh. Investimet kryesore përfshijnë blerjen e rreth 20 avionëve F-35A Lightning II nga SHBA, modernizimin e flotës ekzistuese F-16 në konfigurimin “Viper”, sistemet raketore PULS nga Izraeli, projektin “Mburoja e Akilit” për mbrojtje ajrore dhe anti-raketore, si dhe dronë e teknologji të tjera moderne.
Sipas Athinës zyrtare, ky program synon krijimin e një ushtrie më moderne dhe më fleksibël, për të ruajtur avantazhin strategjik në rajon dhe për t’u përballur me sfidat e sigurisë.


