Pas një periudhe të gjatë mungese nga vëmendja publike, aktori Bes Kallaku ka zgjedhur podcastin e Grida Dumës për të dhënë një intervistë të sinqertë dhe reflektuese, ku flet hapur për zhgënjimet personale, mosmirënjohjen dhe raportin e tij me besimin.
Duke u ndalur te marrëdhëniet njerëzore, Kallaku thekson se plagët më të thella nuk vijnë nga armiqtë, por nga njerëzit e afërt, ata me të cilët ke ndarë jetën dhe bukën.
“Zhgënjimet më të mëdha janë nga ata që i ke pasur afër, nga ata me të cilët ke ngrënë bukë”, shprehet ai, duke kujtuar se për shqiptarët thyerja e bukës është një ligj i pashkruar dhe një akt besimi.
Në bisedë me Dumën, aktori flet edhe për mosmirënjohjen, të cilën e lidh drejtpërdrejt me ndihmën e dhënë pa kushte.
“Ka diferencë mes me t’dhonë një dorë dhe me t’dhonë bukën. Unë mendoj se shumë njerëzve u kam dhënë jo vetëm dorën, por edhe bukën e përditshme”, tha ai.
Një nga momentet më të forta të intervistës ishte reflektimi i tij shpirtëror. Sipas Kallakut, pastërtia e shpirtit shpesh nuk pritet me mirësi, por përkundrazi, provokon përplasje.
“Kur shpirti yt është i pastër, pastërtia e tij irriton demonët e të tjerëve përreth”, u shpreh aktori.
Duke folur për humbjen e shpresës, veçanërisht te të rinjtë, Kallaku e cilëson këtë si një nga dramat më serioze të kohës. Ai thekson se, pavarësisht vështirësive dhe errësirës, besimi tek e mira mbetet i palëkundur.
“Sado të zgjasë nata, do lindë dielli. Kur Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?”, tha ai.
Në mbyllje, Bes Kallaku nënvizoi se rreziku më i madh nuk vjen nga armiku i hapur, por nga ai që maskohet si mik.
“Armikun e njeh dhe i ruhesh. Frika më e madhe është miku-armik”, përfundoi ai.


