Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe kalimin e çështjes për gjykim në themel në fund të janarit. Sipas Ramës, vendimi eliminon një precedent “unik në botë” dhe zmbraps një interpretim të gabuar të ligjit, që sipas tij kishte goditur funksionimin demokratik të shtetit.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë thekson se në aspektin ndërinstitucional, rasti nxori në pah një “befasi antikushtetuese dhe antidemokratike”, ku, sipas tij, një prokuror dhe një gjyqtar morën kompetenca që u përkasin Kryeministrit, Presidentit dhe Parlamentit, duke e kthyer një proces ligjor në një gjyq me ngjyrim politik.
Rama ngriti shqetësimin edhe për atë që e cilëson si ushtrim të papërgjegjshëm të pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, duke paralajmëruar se në disa raste “kura rrezikon të bëhet më e dëmshme se sëmundja”.
Ai përmendi gjithashtu një tjetër zhvillim problematik, sipas tij, hapjen e një procesi gjyqësor nga shoqatat e gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke e konsideruar këtë si një tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe një ndërhyrje në rolin e qeverisë dhe parlamentit. Rama theksoi se kërkesa për rritje pagash do të sillte shtesa të konsiderueshme mujore, si për gjykatat e zakonshme, ashtu edhe për SPAK dhe Gjykatën Speciale.
Megjithatë, Kryeministri u shpreh se nuk ndjek logjikën e dënimit mbi bazë indiciesh dhe nuk beson se drejtuesit e sistemit të drejtësisë janë “mbi shtetin dhe ligjin”. Ai nënvizoi nevojën për një reflektim të thellë, profesional dhe ndërinstitucional, me qëllim garantimin e suksesit të Reformës në Drejtësi dhe ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit, pa rrezikuar liritë, të drejtat dhe funksionimin normal të administratës dhe ekonomisë së vendit.


