Gjatë interpelancës me deputetin Agron Shehaj, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, bëri një prezantim të detajuar të operacionit kombëtar për rikthimin e ligjshmërisë në territor. Ajo theksoi se qeveria ka vendosur një vijë të qartë ndarëse mes së shkuarës së kaotike dhe vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit dhe respektimit të pasurive natyrore.
Koçiu sqaroi se të gjitha ndërhyrjet në territor janë kryer në bazë të ligjit, pas evidentimit, verifikimit të dokumentacionit, vendimeve administrative dhe njoftimeve për pronarët. Ajo mohoi akuzat për selektivitet apo motive politike, duke i cilësuar ato “thriller politik”, dhe garantoi që kriteret janë të njëjta për të gjithë.
Ministrja prezantoi të dhënat e operacionit: në zonat turistike si Theth dhe Valbonë janë vendosur dhjetra masa administrative dhe vendime prishjeje; në bregdet janë prishur 102 objekte, ndërsa në aksin rrugor janë evidentuar mbi 2,000 struktura të paligjshme, prej të cilave 240 u prishën dhe pjesa tjetër u largua vullnetarisht.
Koçiu nënvizoi se shteti ka referuar në Prokurori 1,387 raste të dyshuara penale për shkelje të regjimit juridik të tokës dhe se legalizimet kanë qenë të mundshme vetëm aty ku ligji e lejon. Ajo prezantoi edhe paketën e re ligjore që shtrëngon kontrollet dhe penalitetet për ndërtimet pa leje, duke përmendur shembuj konkretë nga Farka dhe Lundra ku janë prishur mijëra metra katrorë shtesa pa leje dhe janë vendosur gjoba që arrijnë 2.5 milionë euro.
“Shqipëria ka hyrë në një etapë të re ku ndërtimi duhet të jetë sinonim i zhvillimit dhe jo i kaosit, dhe hapësira publike është e pakontestueshme. Territori është vija më e qartë ndarëse mes së shkuarës së çrregullt dhe të ardhmes sonë europiane,” përfundoi ministrja Koçiu, duke garantuar se operacioni do të vijojë me rigorozitet në të gjithë vendin.


