Finalizohet operacioni policor i koduar “Provat”, rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke, që çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak. Në banesën e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, u gjetën tre armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.
Pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre personave. Në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura në banesën e 45-vjeçarit Dhimitër Meci dy kallashnikovë dhe një armë automatike, së bashku me qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Armët dhe municioni do të dërgohen për ekspertim teknik në Institutin e Policisë Shkencore.
Hetimet po vazhdojnë nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe homologët grekë, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të shtetasve Dhimitër Meci, 45 vjeç; Andrea Brokeri, 32 vjeç; Fatjon Prendi, 39 vjeç; dhe Petro Theohari, 31 vjeç, të dyshuar si vrasës me pagesë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Provat”.
Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke çoi në zbulimin dhe sekuestrimin të një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Sekuestrohen 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.
Armët dhe municioni luftarak u gjetën në një nga banesat e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.
Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dhimitër Meci, 45 vjeç, 2 kallashnikovë dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.
Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dhimitër Meci, 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; A. B., 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; F. P., 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe P. Th., 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.




