Ervin Salianji zhvilloi një takim me demokratët në Durrës, ku bashkë me Ilir Alimehmetin, një prej kandidatëve më të votuar të 11 majit, mbledhën dhjetëra mbështetës. Ai kritikoi opozitën për mosmobilizimin e qytetarëve në zgjedhje:
“Pikëpyetja më e madhe që duhet të shqetësojë PD-në është pse nuk arrijmë të nxjerrim shqiptarët në kutitë e votimit. Zgjedhjet e pjesshme lokale janë një mesazh. Edi Rama nxori 15 mijë votues në Vlorë, ne nuk nxorëm më shumë se 2,500”, tha Salianji.

Ai u ndal edhe te dhimbja e militantëve: “E ndjej plagën tuaj. Demokratët u lanë të qëndronin në shi dhe të ftohtë. Mobilizimi i gabuar na ka dobësuar, por nuk duhet ta fshehim të vërtetën. PD nuk është thjesht një parti politike, është një vokacion, pasuri kombëtare që duhet të hapet, ripërtërihet dhe zgjohet”.

Salianji theksoi nevojën për rinovim dhe mobilizim: “Zëri i ri sjell shpresë dhe aspirata fitoreje. Shqipëria ka nevojë për një PD të hapur, energjike dhe të sinqertë. Ne kemi forcën për të sjellë rotacionin dhe për ta fituar këtë betejë. Historia nuk është opsion, është përgjegjësi historike”.
Salla e mbushur plot dëshmoi interesin e madh të demokratëve për një frymë të re brenda partisë.








