TIRANË– Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka deklaruar se nuk do të ketë zëvendësim të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, Rama u shpreh se vendimi i Gjykatës së Posaçme, për pezullimin e Ballukut, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk u kuptuam. Pezullimi është vendim i një gjykate, që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë, se cili është qëndrimi i saj. Nuk jemi në kushtet që duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zv.kryeministër dhe nuk ka një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon.”-tha ai./Radar.al


