Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, në një takim të fokusuar tek ecuria e integrimit dhe prioritetet pas hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Kos vlerësoi fort progresin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka bërë hapa mbresëlënës gjatë viteve të fundit.
“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Evropën më të fortë. Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe vlerësojmë mbështetjen popullore e konsensusin politik për integrimin”, deklaroi ajo.
Nga ana e tij, Peleshi theksoi se integrimi europian mbetet objektiv strategjik kombëtar dhe pjesë e identitetit europian të shqiptarëve.
“Kuvendi do të garantojë transparencë, legjitimitet demokratik dhe një proces gjithëpërfshirës. Si kryetar, do të siguroj që opozita dhe qytetarët të kenë akses e rol aktiv”, u shpreh ai.
Në takim morën pjesë Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Gjekmarkaj riktheu mbështetjen e opozitës për integrimin, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve demokratike.


