Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në një banesë sociale të Bashkisë Librazhd, ku një grua endacake e strehuar aty ka shkaktuar pa vetëdije zjarr në ambientet e shtëpisë.
Personi dyshohet të ketë vepruar pavetëdijshëm, për shkak të problemeve të shëndetit mendor.
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ndërhyri menjëherë, me dy mjete zjarrfikëse dhe nëntë efektivë, duke arritur të neutralizojë flakët dhe të parandalojë përhapjen e tyre.
Fatmirësisht, nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet materiale raportohen të jenë të konsiderueshme.
Në vendngjarje ishin të pranishme edhe forca policore, të cilat siguruan perimetrin dhe po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Autoritetet theksuan se rasti lidhet me shkaktim të pavetëdijshëm të zjarrit, për shkak të gjendjes shëndetësore të personit të strehuar në banesë.


