Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Ndërmollasi”, duke zbuluar një ambient ku përpunohej dhe përgatitej për shitje kanabis, ndërsa në pranga kanë rënë 7 persona, përfshirë organizatorin e aktivitetit kriminal.
Gjatë kontrolleve të kryera nga strukturat e antidrogës, krimeve të rënda, Forcës Operacionale, “Shqiponja” dhe Komisariatit Shkodër, u sekuestruan:
12.67 kg kanabis në fazë përpunimi
Municion luftarak
4.5 kg material shpërthyes artizanal
1 automjet
4 motomjete të trafikuara e të modifikuara
7 celularë
700 euro
Në pranga u vunë:
R. M. (35 vjeç) – organizatori; si dhe L. M. (51 vjeçe), A. Z. (22), L. K. (46), P. K. (43), Z. K. (18) dhe një 16-vjeçare – të gjitha të punësuara për përpunimin e drogës.
Kontrollet në banesën e R. M. dhe zonën përreth zbuluan të gjithë materialin narkotik, mjetet dhe municionin e sekuestruar.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISE
Sekuestrohen 12 kilogramë e 671 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, municion luftarak, 4.5 kg material i dyshuar lënde shpërthyese artizanale, 1 automjet, 4 motomjete të trafikuara dhe të modifikuara, 7 celularë dhe një shumë eurosh. Kapet dhe vihet në pranga organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Vihen në pranga dhe 6 shtetase të punësuara për përpunimin e lëndës narkotike.
Në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të seksioneve të Forcës Operacionale dhe “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të veprimtarive kriminale në këtë fushë.
Si rezultat, u finalizua operacioni policor i koduar “Ndërmollasi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. M., 35 vjeç, L. M., 51 vjeçe, A. Z., 22 vjeçe, L. K., 46 vjeçe, P. K., 43 vjeçe, Z. K., 18 vjeçe, dhe një 16-vjeçare, të gjithë banues në Shkodër.
Gjatë operacionit, është kryer kontroll në banesën e shtetasit R. M. (organizatori i veprimtarisë kriminale) dhe në ambientet përreth, ku janë gjetur dhe sekuestruar: 12 kilogramë e 670 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në fazë përpunimi, municion luftarak, 4.5 kg material i dyshuar lëndë shpërthyese artizanale, 1 automjet, 4 motomjete të dyshuara të trafikuara, pa targa dhe numër shasie, 7 celularë dhe 700 euro.
Punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


