Kryeministri Edi Rama deklaroi se 21 janari mbetet një provë e madhe për drejtësinë shqiptare, duke shpresuar që rihapja e dosjes nga SPAK të shënojë fazën finale të procesit dhe jo një “episod spektakli”.
“21 janari është barra më e madhe e mosarritjes së drejtësisë. Ajo duhet të tregojë se është e aftë të merret me krime të mëdha dhe të vendosë standarde,” tha Rama pas mbledhjes ndërqeveritare Shqipëri-Itali në Romë.
Ai theksoi se viktimat e asaj ngjarjeje “rrotullohen në varr çdo vit”, ndërsa përgjegjësit ende s’janë përballur me drejtësinë.
Ngjarja e 21 janarit 2011 solli vrasjen e katër protestuesve përpara Kryeministrisë gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në kohën kur vendi drejtohej nga Sali Berisha.


