I dënuari për grup të strukturuar kriminal, Emiljano Shullazi, nuk është paraqitur sot në seancën gjyqësore për çështjen e njohur si “Revanshi”, zhvilluar në Gjykatën e Posaçme.
Mungesa e tij vjen vetëm një ditë pas atentatit mafioz në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua me breshëri automatiku Gilmando Dani, një prej personave më të afërt me Shullazin, i konsideruar si “krahu i djathtë” dhe njeriu që kishte marrë nën kontroll rrjetin e mbetur të grupit kriminal.
Burime nga hetimi tregojnë se Dani shërbente si lidhja kryesore midis Shullazit në burg dhe anëtarëve të lirë të grupit, duke qenë “syri dhe veshi” i tij jashtë qelisë.
Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura arsyet e mungesës së Shullazit në seancën e sotme, ndërsa mbetet e paqartë nëse ajo lidhet me çështje sigurie pas atentatit të djeshëm.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të lidhjeve të mundshme mes ngjarjes së Rinasit dhe zhvillimeve të fundit në dosjen “Revanshi”.

