Ish-mbreti spanjoll Juan Carlos, i cili u detyrua të largohej në mërgim pas një sërë skandalesh, ka botuar kujtimet e tij në Francë, duke u shfaqur si një “njeri i plagosur” dhe duke rrëfyer gabimet, marrëdhëniet e dashurisë dhe momentet më të vështira të jetës së tij. Libri, me 500 faqe dhe i titulluar Pajtimi (Réconciliation), është shkruar në bashkëpunim me autoren Laurence Debray.
Juan Carlos, 87 vjeç, që prej vitit 2020 jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, shprehet se ëndërron të rikthehet në Spanjë. “Nuk kalon asnjë ditë pa më pushtuar nostalgjia. Është sikur Spanja më është ngjitur në lëkurë,” shkruan ai, duke treguar frikën se mund të largohej nga jeta pa qenë në gjendje të shpjegonte gjithçka.
Ish-mbreti flet hapur për marrëdhëniet e tij personale, përfshirë lidhjen me aristokraten gjermane Corinne Larsen, dhe nuk i shmanget episodit të diskutueshëm të gjuetisë në Botsvana në 2012, që ndodhi gjatë krizës ekonomike në Spanjë dhe dëmtoi reputacionin e tij.
Një tjetër rrëfim i fortë është dhurata prej 100 milionë dollarësh nga mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, të cilën Juan Carlos e cilëson si “gabim serioz” që duhet ta kishte refuzuar.
Bashkëautore Laurence Debray thekson se kujtimet janë versioni personal i ish-mbreti, duke shfaqur pendesat dhe reflektimet e tij mbi jetën dhe monarkinë.
Juan Carlos ngjiti në fron në 1975, pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco, dhe njihet si figura që udhëhoqi tranzicionin e Spanjës drejt demokracisë. Ai përmend edhe Mbretëreshën Sofia, gruan e tij, dhe dëshiron të kthehet në atdhe për të përfunduar jetën:
“Do të doja të kthehesha në Spanjë, në shtëpinë time… dhe të varrosem atje me nderime.”


