Një incident shqetësues ka ndodhur në Mexico City, ku presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, është ngacmuar nga një burrë ndërsa ishte duke u përzier me qytetarët. Ngjarja ka hapur debat të gjerë mbi sigurinë presidenciale dhe nivelin e ngacmimit seksual ndaj grave në vend.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, shihet një burrë, dukshëm i dehur, që afrohet ndaj Sheinbaum, e puth në qafë dhe përpiqet t’i kapë gjoksin. Presidentja reagoi duke i hequr duart dhe përballuar burrin, përpara se një zyrtar i qeverisë të ndërhynte dhe të vendosej midis tyre.
Ndërsa burri largohej, Sheinbaum u pa duke buzëqeshur ngurtë dhe duke thënë: “Mos u shqetëso.” Më vonë, policia shtetërore konfirmoi arrestimin e autorit të ngacmimit.
Incidenti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
“Edhe nëse je presidente, çdo mashkull mendon se ka të drejtë të të prekë,” — deklaroi gazetarja feministe Catalina Ruiz-Navarro për median “Volcánicas”.
“Kur të pyesin çfarë është patriarkati — ja ku është shembulli,” shtoi ajo.
Ngjarja ka ngritur gjithashtu shqetësime për sigurinë personale të presidentes, pasi rojet e saj nuk u panë qartë në video dhe ndërhyrja ndodhi me disa sekonda vonesë.
Kjo vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së Carlos Alberto Manzo Rodríguez, një kryetar bashkie në shtetin Michoacán, i qëlluar shtatë herë gjatë festimeve të Ditës së të Vdekurve. Ai ishte ndër zyrtarët që i kishte kërkuar publikisht ndihmë Sheinbaum për t’u përballur me grupet kriminale në rajon.
Sipas të dhënave zyrtare, 37 kandidatë u vranë gjatë fushatës zgjedhore të qershorit 2024, ndërsa 10 kryetarë bashkish janë vrarë që prej marrjes së detyrës nga Sheinbaum më 1 tetor — një shifër që nënvizon rrezikun me të cilin përballet politika meksikane.
Crazy incident in Mexico today
A random bum groped the President of Mexico, Claudia Sheinbaum and gave her a kiss
Shows you also how little security she has. I've always thought that for a while now pic.twitter.com/xL08oFpCHK
— Iberian America (@Iberianamerica) November 4, 2025


