Nga data 14 gusht dhe deri në datën 23 gusht maturantët që kanë aplikuar për të ndjekur degën e Mjekësisë në Universitetin publik do ti nënshtrohen provimit.
Të ndarë me grupe dhe me datën përkatëse në krah të emrit të rinjtë do tu përgjigjen pyetjeve në testin e informatizuar, çka do të sjellë që edhe përgjigjen ta marrin menjëherë pas përfundimit. Pikërisht prej këtyre do të vendosen pikët përfundimtare që do të kenë duke përcaktuar renditjen në tabelën fituese të 436 kuotave të vendosura. Testi në total do të ketë 50 pyetje nga lëndët biologji, fizikë dhe kimi.
Pas kësaj faze do të nisë edhe llogaritja e plotë e pikëve të marra për të gjithë garuesit, ndërsa në datën 27 gusht do të bëhet publikimi i parë i fituesve duke hapur më tej edhe fazën e regjistrimeve.
Ndryshe nga vitet e shkuara në fakultetin e mjekësisë pranimi do të ketë edhe nënshkrimin e një kontrateje ku studentët angazhohen se pas përfundimit të fakultetit do të punojnë me detyrim tre vite në Shqipëri.
Përkundrejt kësaj ministria e Shëndetësisë angazhohet për ti punësuar brenda pak muajsh nga marrja e diplomës por dhe ti vendos në listat prioritare të strehimit.
Për ata që do të refuzojnë do të duhet të paguajnë faturën që do të përcaktohet nga rektorati.
Studentët e rinj që fitojnë të drejtën e studimit në mjekësi të përgjithshme për vitin akademik 2024-2025, do të duhet të firmosin një kontratë paraprake me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të arsimit, sepse me ligjin e ri të trajtimit të studentëve të mjekësisë, ata duhet që pas studimeve të punojnë tre vite në sistemin shëndetësor publik, sipas nevojave që ka vendi.


