Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot Liburn Aliun si drejtuesin e ri të Autoritetit Portual Durrës, duke theksuar se emërimi i tij vjen në një moment kyç për zhvillimin strategjik të porteve shqiptare.
Balluku nënvizoi rëndësinë e projektit të madh të Portit të ri tregtar në Porto Romano, një nismë që synon ta kthejë Shqipërinë në një nyjë logjistike dhe ekonomike rajonale. Ajo theksoi se me mbështetjen e një kompanie ndërkombëtare, procedurat ndërkombëtare kanë qenë transparente dhe faza përfundimtare e ndërtimit është tashmë gati, me fillim të punimeve në vitin 2026. Porti do të jetë plotësisht funksional brenda tre viteve.
Ministrja shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë shprehur interes për të kontribuar përmes krijimit të porteve të thata në Shkup dhe Prishtinë, duke përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe zinxhirin logjistik të Ballkanit Perëndimor.
“Porti në Porto Romano do të jetë më i madhi në Ballkanin Perëndimor dhe do t’u shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe vendeve fqinje, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Ai gjithashtu do të shërbejë si bazë logjistike për operacionet e NATO-s,” tha Balluku, duke shtuar se drejtimi i tij kërkon një profesionist me njohuri të thella portuale dhe gjeopolitike, duke bërë kështu Liburn Aliun kandidatin ideal.
Balluku përmendi gjithashtu kontributin e Kreshnik Bajraktarit, drejtuesit të mëparshëm të portit, për performancën e lartë dhe avancimin e projekteve strategjike, duke u shprehur mirënjohje për punën e tij.
Nga ana e tij, Liburn Aliu, në fjalën e tij të parë si drejtues i Autoritetit Portual, shprehu mirënjohje për besimin dhe vlerësoi rëndësinë e portit për gjithë rajonin. Ai nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën për zhvillimin ekonomik dhe transportin rajonal, duke premtuar se Porto Romano do të bëhet një port sfidues me standarde të larta dhe lidhje të forta logjistike.
“Ky port nuk është vetëm për Shqipërinë apo Kosovën, por për gjithë rajonin. Së bashku do ta bëjmë realitet, të lidhur me rrjetet hekurudhore dhe ekonomike rajonale,” përfundoi Aliu.


