Michael Schumacher njihet si një nga pilotët më të mëdhenj dhe më të vendosur në historinë e Formula 1, por sipas mikut të tij të ngushtë, pas kamerave fshihej një njeri krejt tjetër – i butë, familjar dhe i përkushtuar ndaj familjes.
Richard Hopkins, ish-drejtues i operacioneve në Red Bull, ka ndarë detaje të rralla për jetën private të legjendës gjermane. Ai tha për SunSport:
“Michael kishte gjithçka për të qenë kampion bote – përfshirë edhe ato cilësi jo gjithmonë pozitive, si arroganca apo mungesa e ndonjëherëshme e sportivitetit. Por larg kamerave, ai ishte një burrë dhe baba shembullor.”
Që prej aksidentit të rëndë me ski në vitin 2013, Schumacher ka qëndruar larg vëmendjes publike. Hopkins e përshkruan si një njeri me zemër të madhe, që i kushtonte gjithçka familjes së tij.
“Shumë njerëz që e ndoqën vetëm në pistë mund ta kenë parë si arrogant apo tepër të sigurt. Por në shtëpi, ai ishte krejt ndryshe – një baba i dashur që adhuronte fëmijët e tij,” shtoi ai.
Hopkins, i cili e njohu Schumacher-in gjatë kohës që punonte si mekanik në McLaren në fillim të viteve ’90, thekson se kampioni i pamëshirshëm në publik ishte vetëm 30% e tij, ndërsa 70% tjetër mbetej e fshehur nga kamerat. Ai e krahasoi me rivalin e tij, Mika Häkkinen, i cili megjithëse i ftohtë në pamje, kishte një sens humori të jashtëzakonshëm.


