Në procesin gjyqësor për atentatin e vitit 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagos ish-prokurori Arjan Ndoja, u dëgjua dëshmia e Beqir Bojës, i njohur si pajtues gjaqesh nga Zallherri. Ai tregoi se ishte kontaktuar nga Asllan Rraja për të negociuar me familjen e Genc Malokut, babain e viktimës, “për të birin Redian Rraja”.
Sipas dëshmisë së tij, Boja ka komunikuar me familjen Maloku, e cila e ka mohuar çdo lidhje me konfliktin dhe ka bërë “be në Kuran” për këtë. “Në një takim të dytë, Genci Maloku më tha: ‘Djali im u vra i pafajshëm në rrugë,’” dëshmoi Boja para trupit gjykues.
Në seancë dëshmoi edhe Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos (“Rrumit”), i plagosur në atentat, i cili tha se nuk kishte pasur asnjë përplasje apo debat me të akuzuarit.
Reaguan edhe të pandehurit, Julian Mecaj dhe Plarent Dervishaj. “Se kuptoj pse kanë ardhur dëshmitarët, asnjëri prej tyre nuk më njeh e as i njoh,” tha Mecaj, ndërsa Dervishaj u shpreh: “Nuk po kërkoj mëshirë nga ju, na dënoni për atë që kemi në kurriz, jo për ato që nuk i kemi.”


