Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë mbledhjes në Komisionin e Çështjeve Ligjore, deklaroi se vrasja e gjyqtarit Kalaja ka detyruar institucione të rikonsiderojnë të gjitha masat e sigurisë në gjykata dhe prokurori.
Çela theksoi se kushtet aktuale të sigurisë nuk janë optimale dhe se sigurimi i perimetrit jashtë institucioneve nga kompania private “Illyrian Guard” nuk ka rezultuar efektiv. Ai shtoi se ka marrë ankesa të shumta nga prokuroritë për këtë çështje.
“Duhet të përmirësojmë mënyrën e sigurimit të hapësirave dhe të dëgjojmë kërkesat e prokurorëve për nevojat e sigurisë,” tha Çela, duke paralajmëruar se do të bashkëpunojnë me ekzekutivin për gjetjen e zgjidhjeve efektive.
Ngjarja e rëndë ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për forcimin e sigurisë brenda dhe jashtë institucioneve të drejtësisë, duke rikthyer vëmendjen tek mbrojtja e personelit gjyqësor.


