Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, duke e cilësuar këtë si një praktikë të përsëritur ndër vite.
Deklaratat u bënë gjatë takimit të saj me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku Osmani paralajmëroi për përpjekje të Serbisë për blerje votash, frikësim të qytetarëve dhe akte dhune.
“Presidentja Osmani vuri theks të veçantë te ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës,” – thuhet në njoftimin e Presidencës kosovare.
Osmani u bëri thirrje të gjitha institucioneve, partive politike dhe faktorëve ndërkombëtarë që të mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe të dënojnë çdo akt që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve.
“Ajo bëri apel që të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë, si dhe partnerët ndërkombëtarë, të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo ndërhyrje të Beogradit zyrtar,” – thuhet më tej në njoftim.
Dy ditë më parë, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 12 tetorit, përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare.
Sipas Kurtit, veprimet e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe aktorëve të tjerë shtetërorë e joshtetërorë serbë “nuk mund të cilësohen ndryshe veçse si ndërhyrje e hapur në procesin zgjedhor të Kosovës.”
“Premtimet për vende pune, joshja përmes mbështetjes financiare, kushtëzimi me përfitime sociale dhe deklarimet e zyrtarëve serbë se vetëm Lista Serbe mbron interesat e Serbisë në Kosovë, siç kanë thënë ish-kryeministri Millosh Vuçeviq dhe vetë Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë,” – deklaroi Kurti, duke i kërkuar Bashkimit Evropian të sanksionojë Beogradin për këto veprime.
Gjatë fundjavës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi për mediat se “Serbia do të hapë 400 vende të reja pune në sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë” brenda dhjetë ditëve.
“Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën, dhe ne do ta bëjmë këtë që njerëzit ta dinë se ne kujdesemi për ta,” – tha Vuçiq.
Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë të Beogradit u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë për Listën Serbe, partinë që gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë serbe.
Serbia është akuzuar edhe më parë për ndërhyrje në proceset zgjedhore në Kosovë. Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 raportoi se Beogradi kishte ushtruar presion ndaj votuesve serbë, ndërsa edhe Gjermania e ka kritikuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në zgjedhjet e ardhshme të 12 tetorit, Lista Serbe pritet të rimarrë kontrollin në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku garojnë edhe katër parti të tjera serbe dhe disa iniciativa qytetare.
Katër komunat veriore – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – aktualisht drejtohen nga kryetarë shqiptarë, pas dorëheqjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë kosovare për heqjen e targave serbe.
Në prill 2023, serbët bojkotuan zgjedhjet në këto komuna, ndërsa një vit më pas refuzuan të marrin pjesë edhe në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
Ndërkohë, Beogradi vazhdon të shpërndajë paga, pensione, shtesa për fëmijë dhe ndihma të tjera financiare për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, duke ruajtur ndikimin e tij politik dhe ekonomik në këtë zonë.


