Pasditen e sotme, një kandidat dhe bartës liste i BDI-së në komunën e Likovës, Z.Sh., 43 vjeç, u plagos pas sulmit me armë zjarri në Kumanovë. Ai mori katër plagë në parakrah dhe gju, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas trajtimit të menjëhershëm në spitalin e Kumanovës dhe më pas në Shkup.
Sipas Ministrisë së Brendshme, ngjarja ndodhi rreth orës 13:54, kur dy persona të maskuar qëlluan me armë nga një automjet pranë një zone ku ndodhen ndërtesat e komunës, gjykatës dhe policisë. Një person është ndaluar, ndërsa autori kryesor është ende në arrati. Prokuroria ka nisur hetimet dhe po mbledh prova materiale.
BDI e ka dënuar ashpër sulmin, duke pezulluar të gjitha aktivitetet zgjedhore për ditën e sotme. Partia bëri thirrje për reagim të menjëhershëm dhe transparent nga institucionet, duke kërkuar që autorët të identifikohen dhe ndëshkohen.
Autoritetet theksuan se, sipas informacionit paraprak, ngjarja nuk duket se ka motive politike, por hetimet për të gjitha pistat vazhdojnë.
Ngjarja ndodh vetëm dy javë para zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar tensionet gjatë fushatës elektorale.


