Gjyqtari Astrit Kalaja, që u vra sot pas një atentati me armë në Gjykatën e Apelit Tiranë, kishte një karrierë mbi 30-vjeçare në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Astrit Kalaja lindi në Shkodër, 62 vite më parë. Ai ishte një emër i njohur në sistemin gjyqësor shqiptar, me një karrierë të gjatë e të respektuar. Ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, ndërsa ishte bërë gjysh vetëm pak kohë më parë.
Kalaja është emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor 1993 në Shkodër, menjëherë pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë. Për shumë vite ka shërbyer në Gjykatën e Shkodrës, ku ka mbajtur edhe postin e kryetarit në detyrë, përpara se të transferohej në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku ka punuar gjatë shtatë viteve të fundit.
Në vitin 2019, ai kaloi procesin e Vettingut, por Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e tij për deklarime të pamjaftueshme mbi një apartament 109,5 m² dhe një sipërfaqe toke 379 m² në Velipojë, ku ndodhej edhe një ndërtim informal. Megjithatë, në janar 2022, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e konfirmoi në detyrë.
Gjatë karrierës së tij, Kalaja është zgjedhur tre herë radhazi anëtar i Kolegjit Zgjedhor, duke qenë pjesë e vendimmarrjeve kyçe në procese elektorale.


