ELBASAN– Vjeshta është kthyer në dimër ku në 24 orët e fundit temperaturat kanë rënë ndjeshëm ndërsa në pjesën më të madhe të zonave veriore janë regjistruar reshje dëbore.
Trashësia e dëborës arrin deri në 8 cm në zonat malore të Elbasanit, rruga Librazhd-Sebisht e kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërprerje energjie në disa zona
Reshje dëbore janë regjistruar që prej orëve të mesditës së djeshme në zonat malore të qarkut Elbasan, pas rënies së ndjeshme të temperaturave.
Sipas Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës Elbasan, situata paraqitet nën kontroll, megjithatë reshjet kanë sjellë vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment malor, ndërsa njësitë e mirëmbajtjes janë në terren për të siguruar kalueshmërinë e rrugës./Radar.al


