Emisioni investigativ “Në Shënjestër” solli detaje të reja mbi masakrën e 8 shtatorit në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi), ndërsa u plagosën ish-futbollisti dhe ish-këshilltari bashkiak Erogen Vaso (Brajoviç) dhe kamarierja Meri Kacerri.
Autori i krimit, Ragip Gila, 28 vjeç, i maskuar dhe i pajisur me antiplumb, hyri me motor në lokalin “Idromeno” dhe qëlloi drejt objektivit të tij, Erogen Vaso. Ky i fundit arriti t’i shpëtonte plumbave duke u fshehur, ndërsa miqtë e tij mbetën të vrarë.
Pas atentatit, Gila la motorin ndezur dhe u largua nga dera e pasme, ku nën kërcënimin e armës rrëmbeu një automjet. Gabimi i tij ishte përplasja me disa makina në rrugën drejt Katedrales, duke u bërë i dallueshëm për qytetarët. Dëshmitarët treguan se ai mbante skafandër, armë në dorë dhe i kërcënoi duke u thënë: “Dil jashtë, s’të baj gja”.
Policia mori dhjetëra dëshmi nga qytetarë që panë makinën BMW gri të autorit duke lëvizur me shpejtësi e kryer parakalime të rrezikshme. Një grua madje deklaroi se e pa Gilën të dilte nga makina i armatosur dhe i maskuar.
Hetimet çuan edhe në kontrolle në familjen Lici, të njohur për konfliktet me grupe rivale. Në banesën e Bukurie Licit u gjetën 7 armë zjarri, municion, dronë dhe mjete të tjera të përdorura për krime. Dyshohet se Ragip Gila ishte i lidhur me këtë familje, pasi shihej shpesh në shoqërinë e dhëndrit të saj, Lulzim Kulla.
Grupi hetues po heton nëse Gila ka vepruar i vetëm apo me ndihmës, duke marrë parasysh sinkronizimin e atentatit dhe faktin që objektivi kryesor ishte Erogen Vaso Brajoviç, i lidhur me grupe kriminale në Shkodër dhe përmendur në biseda të Sky ECC me Ervis Martinajn dhe Behar Bajrin.
Ngjarja shihet si pjesë e përplasjes së përgjakshme mes familjeve të fuqishme në Shkodër, që ka prodhuar dhjetëra viktima vitet e fundit.


