Japonia ka arritur një tjetër rekord demografik: plot 99,763 shtetas janë mbi 100 vjeç, shumica dërrmuese gra (88%), sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo shifër, e cila është rritur me 4,644 persona brenda një viti, nënvizon ritmin e shpejtë të plakjes së popullsisë.
Më e moshuara në Japoni është Shigeko Kagawa, 114 vjeçe, një ish-gjinekologe dhe mjeke e përgjithshme, e cila e lidh vitalitetin e saj me ecjen e gjatë në vizitat shtëpiake gjatë karrierës.
Por pas këtij “rekordi”, që është edhe burim krenarie, fshihet një sfidë e madhe: tkurrja dramatike e popullsisë. Vetëm këtë vit pritet që Japonia të humbasë rreth 900 mijë banorë, si pasojë e rënies së lindshmërisë dhe migrimit të ulët.
Kryeministri në largim Shigeru Ishiba e ka cilësuar këtë situatë si një “murtajë të heshtur”, duke paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike e sociale. Ai premton politika mbështetëse për familjet, duke përfshirë orare më fleksibile dhe kujdes falas për fëmijët – por deri tani rezultatet kanë qenë të pakta.
Ndërkohë, personi më i moshuar në botë mbetet britanikja Ethel Caterham, 116 vjeçe.


