E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, gjatë konferencës rajonale të OSBE-së, foli mbi rolin e SPAK-ut dhe përfundimin e mandatit të kreut aktual, Altin Dumani.
VanHorn rikujtoi se Dumani ishte së fundmi në Uashington, ku diskutoi me Departamentin e Drejtësisë për bashkëpunimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Partneriteti mes SPAK dhe autoriteteve amerikane nuk është ndërtuar brenda natës. Së bashku duhet të mbrojmë atë që kemi arritur”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se efektiviteti i SPAK-ut lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë e tij për të ndjekur kriminelët, “pavarësisht lidhjeve që ata kanë”. Megjithatë, sipas saj, mandati i Dumanit ka përfunduar dhe ai do të zëvendësohet sipas ligjit.
“Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të tij duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm. Partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, nënvizoi diplomatja amerikane.
Në fund, VanHorn theksoi pritshmëritë e SHBA për integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të SPAK, “ashtu si edhe për drejtorin e ardhshëm të BKH-së”.


