Pensionistët shqiptarë po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira ekonomike, pasi inflacioni ka zhdukur çdo rritje simbolike të pensioneve vitet e fundit. Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ngriti alarmin se të moshuarit po varfërohen dita-ditës dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm indeksimi formal që bëhet një herë në vit, por duhet të ketë rritje reale të pensioneve dhe dhënie bonusesh shtesë për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.
“Pensionistët sot ndodhen në gjendje më të keqe se vitin e kaluar. Qeveria flet për objektivat e 2030-ës, por pensionistët kanë nevojë për rritje sot. Shqipëria nuk mund të pretendojë hyrjen në BE pa garantuar standarde minimale jetese për më të ndjeshmit”, – deklaroi Hoxha.
Skema e pensioneve: 2 miliardë euro vetëm në vitin 2026
Ndërkohë, sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), fatura e pensioneve për vitin 2026 do të arrijë mbi 2 miliardë euro, rreth 117 milionë euro më shumë se këtë vit. Deri në vitin 2028, kjo kosto parashikohet të rritet në 2.2 miliardë euro.
Meqenëse të ardhurat nga kontributet nuk mbulojnë të gjithë shpenzimet, deficiti kompensohet nga buxheti i shtetit. Financimi shtetëror do të kalojë nga 408 milionë euro këtë vit në 514 milionë euro vitin tjetër, ndërsa në vitin 2028 pritet të arrijë në 601 milionë euro.
Aktualisht, të ardhurat që mbledh ISSH mbulojnë vetëm 76% të pagesave të pensioneve, dhe ky nivel pritet të ulet në 73% deri në vitin 2028.
Bonuset dhe sfidat afatgjata
Përveç indeksimit vjetor, buxheti i shtetit ka parashikuar edhe 190 milionë euro bonuse për pensionistët në tre vitet e ardhshme, të ndara sipas vlerës mujore të pensionit. Kjo praktikë do të vazhdojë derisa të hyjë në fuqi skema e re e pensioneve, e cila ende është në fazën e hartimit.
Ekspertët paralajmërojnë se emigracioni, rënia e lindshmërisë, punësimi në të zezë dhe nën-deklarimi i pagave po dëmtojnë rëndë skemën, duke ulur vlerën e kontributeve dhe duke rritur varësinë nga buxheti i shtetit.
Mesazhi i Hoxhës është i qartë:
“Shqipëria e vërtetë matet me mënyrën se si trajton të moshuarit e saj. Pensionistët presin respekt, dinjitet dhe rritje reale të pensioneve – jo thjesht premtime boshe.”


