Vendi ynë gjatë ditës së sotme do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, si pasojë e depërtimit të masave ajrore të lagështa me origjinë jugperëndimore.
Moti do të ketë vranësira mesatare deri të dendura, të alternuara me kthjellime të herëpashershme. Reshjet e shiut pritet të nisin me intensitet të ulët në zonën perëndimore, për t’u shtrirë më pas në pjesën më të madhe të territorit.
Nga orët e mesditës reshjet do të jenë herëpashershme, me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa përgjatë Ultësirës Perëndimore parashikohen periudha me reshje mesatare deri të larta, të shoqëruara me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike. Në momente afatshkurtra reshjet do të marrin formën e rrebesheve.
Era do të fryjë nga juglindja-jugperëndimi me shpejtësi mesatare 10 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë deri në 20 m/s. Valëzimi në det pritet të jetë 3 deri në 5 ballë.


