Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj vendimit të gjykatësit Hasbi Balliu, duke e kritikuar ashpër për shpejtësinë dhe qasjen ndaj çështjes. Përmes një postimi në Facebook, Rama shprehet se gjykatësi nuk i janë dashur as 10 minuta për të marrë anën e paditësve, të cilët kanë ndërtuar një pallat pa leje, i cili më pas u konfiskua dhe iu dorëzua Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Sipas Ramës, materialet që i janë dhënë Balliut kërkonin shumë më shumë kohë për t’u shqyrtuar, por gjykatësi nuk i ka lexuar, duke u bazuar vetëm në faktin se në godinën e vjetër të ASHK-së, e pasigurtë pas tërmetit, nuk pati viktima. Kryeministri ironizon se sipas gjykatësit, puna mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërkohë që pallati pa leje është i konfiskuar dhe i dorëzuar shtetit.
Postimi i plotë i Ramës:
“As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë.”
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur vendimet e gjykatave mbi pronat dhe ndërtimet pa leje po krijojnë debate të forta në publik dhe politikë.


