Nga Eriselda Mikeli
Ishte pranvera e vitit 2004, periudha kur zemra e italianes, Giuseppina Ciccociopo, u dorëzua përpara një emigranti shqiptar asokohe, lezhjanit Edvin, në Pescara të Italisë.
Ndonëse jetuan për disa vite së bashku në Itali dhe arritën të krijonin një jetë modeste, ata kuptuan se ai vend nuk u dhuronte dot atë çfarë u jepte Shqipëria brenda pak ditëve, gjatë pushimeve verore.
Ndaj, së bashku me dy vajzat e tyre për dore, në 2015, Pina dhe Edvini vendosën që të vijonin jetën në një vend të panjohur për ato, por jo për emigrantin lezhjan.
Vendimi për rikthim në vendin ku Edvini jetoi rininë e tij, ishte kthesa më e madhe në jetë që u solli suksesin që as nuk e kishin menduar më parë. Me duart e njëri-tjetrit të shtrënguara që nuk u lëshuan përballë asnjë situate, pak muaj pasi mbërritën në Shqipëri, ata arritën të themelonin biznesin e tyre të parë në Durrës, aty ku Edvini dhe familja e tij jetonin prej vitesh pasi u zhvendosën nga Lezha. Një fasoneri në periferi të Durrësit, “Setex”, e cila ka të punësuar me dhjetra punëtorë shqiptarë.
“Në fillim hapëm një fasoneri të tonën në Durrës. 7 vitet e para ishin të dedikuara komplet atij biznesi, aq sa arritëm ta zhvillonim më tej duke punuar maksimalisht. Ndërsa sot punojnë me dhjetra punëtorë për ne. Hapja e faosnerisë nuk ishte e ndërlikuar sepse vetë Edvini merrej me eksportimin e mallrave Itali-Shqipëri ” kujton Pina fillimet e jetesës në Shqipëri.
Sakrificat, përkushtimi dhe dëshira për të patur një jetë më të mirë, sfiduan baticat dhe zbaticat e kaluara duke shtuar më shumë etjen për sukses.
E diplomuar në fushën e drejtësisë, 49-vjeçarja italiane nuk u punësua kurrë si avokate. Pas mbarimit të studimeve universitare, ajo iu përkushtua totalisht punës së saj si drejtuese e një qendre spitalore në Pescara. Edhe pse 3 vite të rinisë së saj i kaloi në banka shkolle si studente e drejtësisë, ëndrra e saj nuk ishte të plakej në këtë fushë.
Ndonëse zgjodhi të mos e shijonte asnjë çast si zyrtare drejtësie, njohuritë e saj në këtë sektor i shfrytëzoi në një drejtim tjetër ku dhe gjeti veten e saj, në biznes.
“Unë e urrej të punoj aty para kompjuterit 8 orë të ngulem dhe thjesht të shkruaj. Me tipin që kam, jam enegjike, dua diçka më alegro ku unë të mund të shfaq aftësitë e mia. Pse jo të përmirësoj veten dhe të provoj gjëra të reja. E të pasurit bizneset e mia për mua është puna ideale, sepse jam aktive gjithë kohës. Jo takime me klientët, jo me stafin, jo me bashkëpunëtorët. Më pëlqen një gjë e tillë” shton më tej Pina.
Me një stilolaps të cilin e mban në mes të gishtit të madh dhe atij tregues, Pina shpjegon se pasi për një periudhë të gjatë kohore shqyrtoi tregun dhe ligjin shqiptar, prej 3 vitesh kryeson biznesin e saj së bashku me ortaken shqiptare, Irmën.
Ishte një takim i rastësishëm me shqiptaren e panjohur për të asokohe, që solli një bashkëpunim shumë të suksesshëm. Një agjensi imobiliare qëndron sot në këmbë vetëm nga puna e palodhshme e dy grave me shtetësi të ndryshme, ku shkrirja e kulturës shqiptare me atë italiane, përmirësoi goxha ecurinë e biznesit ndër vite.
Por si shumica e bizneseve nëpërgjithsëi, “Prima Group Real Estate” ka patur uljet dhe ngritjet e saj. Pavarësisht muajve të zbrazëta, ku në zyrën e tyre të ndodhur buzë amfiteatrit të Durrësit në rrugën “Sotir Noka”, nuk shkelte këmbë njeriu, dy ortaket nuk hoqën dorë kurrë, qoftë nga njëra-tjetra apo biznesi.
“Pina pa Irmën dhe mbase Irma pa Pinën, nuk do të realizohej kurrë as idea e jo më themelimi i “Prima Group Real Estate”- shprehet italianja rreth marrëdhënies së saj me ortaken durrsake.
“Na është dashur që të testohemi në gjuhën shqipe që të specializoheshim në këtë fushë. Unë e kisha shumë me frikë, sepse të flisja shqip dija po jo shkrimin. Prania e Irmës dhe testimi në formë pyetjesh me alternativa më shpëtuan nga ankthi i provimit” -shprehet Irma me një buzëqeshje në fytyrë duke shprehur kështu mirënjohje për ortaken e saj shqiptare.
Pasi arritën të kualifikoheshin për të vijuar rrugëtimin e tyre në real estate, ato morën frenat në duar dhe çdo ditë e më shumë punonin plot përkushtim. Që nga komunikimet online me klientët, takimet me pronarët e pasurive të paluajtshme që duan të lidhin kontrata për X objekt, përgatitja e dokumenteve përkatëse, e deri në realizimin e videove për faqen e tyre të punës në Instagram, të gjitha realizohen vetëm nga dy persona. Përveç pjesës së menaxhimit të rrjeteve sociale të agjensisë së tyre, për të cilën kanë punësuar një vajzë shqiptare.
Të qenurit njëra shqiptare dhe tjetra një shtetase italiane, ka mundësuar një sukses më të madh për dy ortaket e “Prima Group”. Pina bën me dije se gjatë jetesës së saj në Shqipëri ajo ka krijuar një kontakt dhe njohje të madhe me vendasit, por dhe me bashkëkombësit e saj. Sipas saj, duke qenë se italianët gjatë ditëve të tyre të pushimit preferojnë Durrësin e duan të zgjedhin një apartament, së pari kontaktojnë me Pinën.
Në mënyrë të çiltër dhe me një buzëqeshje që të përcjell pozitivitet, Pina shton: Dihet që një italian do e kishte më mirë të komunikonte me njëiItalian sesa shqiptar. Është normale që do më zgjidhnin mua para agjensive të tjera që kryesohen nga shqiptarë në këtë zonë.
Rritja e numrit të klientelës së tyre ka zgjuar dhe dëshirën për të zgjeruar agjensinë e tyre. Por kjo gjë është penguar nga mungesa e një stafi të plotë që jep maksimumin në punë, jo vetëm për përfitime financiare por për të bërë më të mirën e mundshme.
“Deri më tani me agjensinë jemi marrë unë dhe Irma. Të gjitha vetë I kemi bërë. Jo se nuk duam të punësojmë njeri, por duam dikë të rregullt që t’i përkushtohet punës. Kjo është punë që një muaj ecën e një tjetër mbase jo. Nuk është se ke një rrogë fikse dhe pasi të mbarosh 8 orë punë je e lirë. Do të duhet të punosh dhe shtesë. E ndaj nuk preferohet shumë nga njerëzit. Kemi bërë intervista me ata që kanë qenë të interesuar, por gjërat nuk kanë ecur ashtu siç e prisnim.”- shpjegon më tej Pina.
Pavarësisht të gjithave,dëshirën për ta zgjeruar Real Estate-n e saj më tej, nuk e shuan dot fakti që momentalisht ka një mungesë të theksuar punonjësish.
Me shpresën që përmes përkushtimit të të dyja palëve, Pinës dhe Irmës, biznesi do të përmirësohet, italianja na zbulon se dëshira e saj është të hapë një zyrë në vendlindjen e saj në Itali. Në këtë mënyrë mund të mundësohet dhe bashkëpunim mes dy shteteve por dhe me vende të tjera, përfshirë këtu gjithë Europën.
Edhe nëse fati I ka rezervuar udhëtime të shumta suksesi anë e mbanë botës, Pina plot vetëbesim thotë se do vijojë jetesën në Shqipëri. Vendi ynë u bë për Pinën “shtëpia e zemrës”.
“Unë nuk e kam festuar kurrë ditëlindjen në Itali. Nuk doja, e anashkaloja si ditë. Për herë të parë kam fikur qirinjtë e tortës së ditëlindjes sime në Durrës. Ky vend më ka rilindur.”- përmbyll Pina plot buzëqeshje dhe me sy që shndrisin teksa vështrojnë murin e zyrës ku ndodhet i pikturuar qyteti i Durrësit.
Ndër vite ka krijuar jo vetëm sukses por dhe një lidhje shpirtërore me Shqipërinë aq sa nuk heziton të zbulojë më tej se sipër kyçit të këmbës së saj të majtë, prej 5 vitesh, “jeton” shqiponja dykrenare, që është dhe simbol i flmaurin kombëtar shqiptar.




