Policia ka identifikuar dhe arrestuar tre prej personave të përfshirë në plagosjen me armë zjarri të një 27-vjeçari, ngjarje kjo që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Treshit. Një person i katërt është shpallur në kërkim nga uniformat blu.
Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se shtetasit e arrestuar janë B.N., 47 vjeç, A.Ll., 42 vjeç dhe I.K., 51 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur S.N., 35 vjeç. Nga hetimet e para rezulton se B.N., A.Ll. dhe S.N. plagosën me armë zjarri në këmbë 27-vjeçarin R.Ç., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. I.K. u arrestua për moskallëzim krimi, pasi nuk raportoi ngjarjen.
Gjithashtu, gjatë konfliktit u dëmtua lehtë edhe shtetasi G.Sh., 42 vjeç, i cili ishte pranë të plagosurit.
Policia ka sekuestruar një automjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët për largimin nga vendi i ngjarjes, si dhe sende të tjera të kundraligjshme që ndihmojnë në hetim. Vijojnë hetimet dhe kërkimi i personit të shpallur në kërkim, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Radar.al


