Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në sheshet e Prishtinës për të protestuar kundër Gjykatës Speciale, në një tubim të thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Nën moton “Kundër padrejtësisë, në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”, pjesëmarrësit shprehin indinjatën e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë një proces të njëanshëm dhe politikisht të motivuar.
Shkak për protestën është bërë publikimi i lajmit se Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar materiale të dorëzuara nga autoritetet serbe si prova në proceset kundër disa prej ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Grumbullimi i protestuesve ka nisur pak minuta para nisjes zyrtare të protestës, me qytetarë që mbajnë pankarta dhe flamuj, duke kërkuar drejtësi të barabartë dhe respekt për luftën çlirimtare. Organizatorët theksojnë se qëllimi i protestës është të kundërshtojnë atë që ata e konsiderojnë përdhosje të historisë dhe përpjekje për ta barazuar agresorin me viktimën.
Protesta po zhvillohet pa incidente, ndërsa forcat e rendit janë të pranishme për të garantuar mbarëvajtjen e saj.


