Në prag të përballjes mes Dinamos së Tiranës dhe Hajdukut të Splitit në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, një deklaratë e ish-mesfushorit të Hajdukut, Ervin Bulku, ka shkaktuar një reaksion të fortë. Bulku, i cili ka luajtur për Hajdukun e Splitit rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, ka shprehur se edhe pse është shqiptar, do të bëjë tifo për klubin kroat në këtë ndeshje.
Në një intervistë për “Slobodna Dalmacija”, Bulku ka thënë se ka ende një dashuri të madhe për Hajdukun, edhe pas shumë viteve që kanë kaluar. Ai ka shpjeguar se ka një lidhje të fortë emocionale me klubin kroat, ku ka kaluar disa nga vitet më të mira të karrierës së tij.
“Edhe pse jam shqiptar, zemra ime është me Hajdukun,” ka thënë Bulku, duke nënvizuar se është një ndjenjë që e mban ende pas kaq shumë vitesh. Përveçse ka qenë pjesë e ekipit, ai ka shërbyer edhe si ndihmës trajner i Kombëtares Shqiptare, një pozicion që ka forcuar lidhjet e tij me futbollin shqiptar.
Përballja mes Dinamos dhe Hajdukut pritet të jetë një sfidë e nxehtë, pasi dy klubet kanë një histori të pasur dhe një bazë të madhe tifozësh. Dinamo e Ilir Dajës do të përballet me Hajdukun në ndeshjen e parë më 7 gusht në Split, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 14 gusht në “Elbasan Arena”, ku do të vendoset gjithçka për kalimin në fazën e play-off-it të Ligës së Konferencës.
Radar.al


