Gjykata e Lartë në Prokuple të Serbisë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Sasha Gjorgjeviqin, banor i komunës së Shtërpcës në Kosovë, i dyshuar për spiunazh në favor të Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH), përmes një bashkëpunimi të pretenduar me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Lajmi u konfirmua nga Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple, një qytet afër kufirit me Kosovën, ndërsa media të ndryshme serbe raportuan se arrestimi i Gjorgjeviqit ndodhi më 28 korrik, në pikën kufitare të Merdarës. Arrestimi u krye në bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës (BIA) dhe policinë lokale.
Sipas raportimeve, Gjorgjeviq dyshohet se ka dorëzuar informacion konfidencial mbi figurat politike dhe struktura të sigurisë të Serbisë në Kosovë, në këmbim të pagesave të dyshuara nga një oficer i AKI-së në Ferizaj, që thuhet se ka vepruar si lidhje me inteligjencën shqiptare.
Autoritetet serbe kanë deklaruar se rasti ka të bëjë me një hetim individual, jo me një rrjet më të gjerë, dhe nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi provat apo akuzat konkrete. Deri tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet e Kosovës apo Shqipërisë.
Rritje e tensioneve dhe arrestimeve të ndërsjella
Ky rast vjen në një klimë të tensionuar mes Prishtinës dhe Beogradit, të shoqëruar me akuza të ndërsjella për veprimtari spiunazhi. Më 17 korrik, autoritetet kosovare arrestuan Bojan Jevtiqin, ish-toger i Policisë Kufitare në pikën e Dheut të Bardhë, me dyshimin për spiunim në favor të shërbimeve sekrete serbe. Ai u pezullua menjëherë nga detyra pas një rekomandimi të Inspektoratit Policor.
Në vijim të hetimeve, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa shtetas serbë dhe shqiptarë, të dyshuar për bashkëpunim me BIA-n, ndërsa në fillim të qershorit, Aleksandar Vllajiq u dënua me 5 vite burg pasi pranoi fajësinë për spiunazh në Kosovë si agjent i shërbimit serb.
Në një tjetër zhvillim, nga mesi i qershorit, Kosova dëboi të paktën dhjetë pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që jetonin në territorin e saj, me pretendimin se përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare.


