Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka bërë një analizë të fortë për gjendjen e PD-së, duke e cilësuar “në agoni” dhe duke paralajmëruar se partia rrezikon të shuhet nëse nuk ndërmerren hapa radikalë.
Në një intervistë për News24, Sula tha se konflikti i brendshëm dhe mungesa e reflektimit serioz e kanë çuar PD-në në krizë të thellë. Ai komentoi edhe përpjekjet për lobim në SHBA për heqjen e shpalljes “non grata” ndaj Sali Berishës, duke theksuar:
“Një përgjigje nga DASH, qoftë edhe negative, do t’i jepte fund njëherë e mirë debatit që ka ndarë PD-në dhe krijuar luftën civile brenda saj.”
Sipas tij, Berisha ka vetëm dy mundësi për të shpëtuar partinë: Të tërhiqet me dinjitet, duke ruajtur trashëgiminë që ka ndërtuar vetë; Të nisë një riformim të thellë, duke pastruar strukturat nga emrat që nuk kanë më mbështetje.
“PD është në agoni. Duhet reformë në çdo seksion. Është turp që numri 2 i PD të ketë një formim kaq të dobët. Flamur Noka dhe Albana Vokshi nuk i duan më demokratët,” deklaroi Sula.
Ai paralajmëroi edhe një tjetër skenar: krijimin e një “foltoreje të re” brenda PD-së, nëse situata nuk ndryshon. “Nëse figura si Jorida Tabaku, Belind Këlliçi apo Ervin Salianji ngrihen në shtator, do ishte diçka pozitive. Nëse heshtin dhe mendojnë vetëm për karrigen, atëherë gjithçka ka marrë fund,” tha ai.
Në fund, Sula nënvizoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet: “Nuk i jap kënaqësinë askujt të më nxjerrë nga politika kështu. Përveç Berishës, të tjerët i shoh më poshtë se vetja. Politika duhet të ketë moral.”

