Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) rrëzoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Eranda Laze, motra e ish-deputetes socialiste Ermonela Felaj.
Vendimi u mor pas ankimit të Komisionerëve Publikë dhe drejtuar nga SPAK, ku u ngritën dyshime mbi ligjshmërinë e burimeve të të ardhurave të saj dhe bashkëshortit për blerjen e dy apartamenteve dhe një automjeti. Sipas KPA, Laze nuk arriti të justifikojë këstin e parë dhe të fundit të një apartamenti në vlerë 40 mijë euro, as gjendjen cash, pasi të ardhurat nga avokatia e bashkëshortit nuk kishin prova për shlyerje detyrimesh tatimore.
Një tjetër pikë e kontestuar ishte edhe një ngastër toke e dhuruar bashkëshortit dhe një ndërtim informal në proces legalizimi, për të cilat Kolegji tha se mungonin shpjegime bindëse mbi marrëdhëniet financiare dhe burimet e investimit.
Ndërkohë, KPA vuri në dukje edhe udhëtime të kryera me persona të dyshuar për lidhje kriminale, duke i cilësuar si tregues të pakujdesisë etike, edhe pse jo penalizuese në vetvete.
Vendimi i shumicës së KPK-së që e konfirmoi në detyrë më 8 nëntor 2024 u cilësua i pabazuar edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili rekomandoi ankimin për shkak të problemeve të konstatuara me pasurinë dhe etikën.
Në përfundim, KPA vendosi shkarkimin nga detyra të Eranda Lazes për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe mospërputhje të burimeve financiare me të ardhurat e ligjshme./BIRN


