Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka hedhur akuza të forta në drejtim të kompanisë Bankers Petroleum dhe tre studiove ligjore, që sipas tij, kanë përfituar miliona euro për “konsulencë fiktive”. Në një reagim të publikuar, Murrizi thotë se që prej vitit 2004, politikanë nga të dy krahët kanë përfituar nga kjo kompani, e cila ka shfrytëzuar burimet natyrore të Shqipërisë pa paguar tatim-fitimin.
Ai pretendon se tri studio ligjore kanë përfituar mbi 11.5 milionë euro, mes tyre një studio në pronësi të një ish-deputeti të PS-së, një tjetër e një ish-ministri të PD-së dhe një e tretë që, sipas tij, përdoret nga të dyja palët. Sipas Murrizit, këto studio kanë shërbyer si “zyra shpërblimi” për njerëz të lidhur me politikën, ndërkohë që Bankers ka humbur proceset gjyqësore që ka pasur.
Murrizi i bën thirrje SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet për këto lidhje të dyshimta, duke akuzuar institucionin për heshtje të qëllimshme dhe hetime selektive.
Reagimi i plotë i Myslim Murrizit:
“Në vitin 2019 kur unë flisja në Parlament për vjedhjet galopante të hajdutëve të politikës në kompaninë Bankers Petroleum, jo pak fundërrina nga PS-ja dhe PD-ja më akuzonin mua se kisha mbajtur mandatin për pazar.
Nga dosja hetimore e Bankers-it doli ajo që kisha paralajmëruar para 6 vitesh: që zagarët politikë, prej vitit 2004, kanë marrë miliona euro nga kjo kompani hajdute. Prandaj kjo kompani ka marrë nga pasuria e shqiptarëve rreth 15 miliardë euro dhe nuk ka paguar asnjë lekë tatim-fitimi.
Kush ka pak durim, le të shohë që tre ‘studio ligjore’ kanë marrë nga Bankers-i 11.5 milionë euro për ‘konsulencë’ leshi, kur vetë kompania ka një zyrë të rregullt juridike me mbi 15 punonjës.
Njëra studio është e një ish-deputeti të PS-së dhe ka marrë rreth 6 milionë euro nga viti 2017 deri në mars 2025, me 9 punonjës të punësuar.
Studio tjetër është e një ish-ministri dhe deputeti të PD-së dhe ka marrë 2.7 milionë euro nga shkurti 2019, kur PD dogji mandatet, deri në prill 2025, me vetëm 2-3 punonjës të punësuar.
Dhe një studio tjetër, Çerekja, që është miks dhe përdoret nga të dyja anët e politikës, ka marrë 2.6 milionë euro nga viti 2020 deri në mars 2025, me 7 punonjës të punësuar.
Të tria ‘studiot’ kanë këshilluar hiçgjë, sepse Bankers-i thjesht nxjerr naftë, ndërsa një gjyq që ka bërë për gjobën 104 milionë euro e ka humbur në të tria shkallët. Por kanë shërbyer si ‘zyra shpërblimi’ për llogari të tyre dhe padrinove të tyre.
Pothuajse në çdo biznes VIP është e njëjta skemë, ku milionat shpërndahen si me magji tek halet e politikës.
Dhe kur i shoh që shkruajnë, japin mend e bëjnë moral, pastaj më vjen t’ua përdor surratin si uturak.
Vetëm për këta dy subjekte ish-deputetë, menjëherë dosjen duhet ta marrë SPAK-u, nëse hajdutët dhe qelbanikët e SPAK-ut që bëjnë hetime selektive për inceneratorët e leshit, nuk janë tredhur nga milionat e eurove të Bankers-it.
Altin Dumani, dil e fol një fjalë! Pse po hesht për këtë supervjedhje, kur na keni çarë trapin për autokombanjier Bektashin 3 vjet rresht?!”


