Një incident është regjistruar mesditën e së dielës në aksin Lezhë–Shkodër, në zonën e quajtur “Gajush”, kur një drejtues automjeti refuzoi t’i bindet urdhrit të policisë për ndalim, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke rrezikuar jetën e efektivëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për 26-vjeçarin J. D., banues në Lezhë, i cili drejtonte mjetin pavarësisht se kishte të pezulluar lejen e drejtimit për një shkelje të mëparshme. Pas ndalimit për verifikim dhe kërkesës për ta shoqëruar në komisariat, ai tentoi të largohej me shpejtësi.
Në këto kushte, njëri prej efektivëve të Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore përdori armën e shërbimit, duke qëlluar në gomën e automjetit për ta neutralizuar. Gjatë kontrollit, drejtuesit të mjetit iu gjet edhe një armë e ftohtë e mbajtur pa leje.
Ngjarja u menaxhua pa pasoja për jetën apo shëndetin e qytetarëve dhe punonjësve të policisë.
J. D. dhe pasagjeri i tij, E. S., 20 vjeç, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë. Ndaj 26-vjeçarit po hetohet për disa vepra penale, përfshirë “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor i Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po heton rrethanat e ngjarjes dhe ligjshmërinë e përdorimit të armës nga ana e efektivit të përfshirë.

