Një skemë e njohur mashtrimi po qarkullon sërish në Shqipëri, duke përdorur emrat e institucioneve publike si Posta Shqiptare apo Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, për të joshur qytetarët dhe për të vjedhur të dhënat e tyre bankare.
Skema funksionon përmes reklamave të sponsorizuara (“boost”) në rrjetet sociale, ku pretendohet se po shiten valixhe të patërhequra nga udhëtarët për shuma simbolike.
Në reklamë pretendohet se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shet valixhe të pashkuara për vetëm 199 lekë për njësi. Në fakt, bëhet fjalë për një praktikë të njohur mashtrimi, ku qytetarët ftohen të klikojnë në një link të caktuar dhe më pas të japin të dhënat e kartave të tyre bankare, të cilat më pas vidhen dhe përdoren për të bërë pagesa online përmes tyre.
Në seksionin e komenteve të reklamës shfaqen reagime të ndryshme nga llogari të dyshimta, që pretendojnë gjoja blerje të suksesshme, pjesë e skemës për të shtuar besueshmërinë e njoftimit mashtrues.
Nga ana tjetër, nuk mungojnë as komentet e qytetarëve që kanë rënë pre e mashtrimit dhe kërkojnë ndihmë për të përfituar nga “oferta”.
Faqja mashtruese është krijuar fillimisht në shkurt 2025 me emrin “Anna Grace”, ndërsa më 20 qershor 2025 ka ndryshuar emrin në “Njoftim i aeroportit/TIA”, duke përdorur identitetin e Aeroportit të Tiranës për të mashtruar qytetarët shqiptarë.
Po ashtu, në të dhënat e reklamës thuhet se administratori i faqes ndodhet në Chicago, SHBA, një informacion që rezulton i rremë.


