Nga Osman Stafa
Pas disa mesazheve të marra në rrjetet sociale, shkova sot të takohesha me banorë të Njësisë Administrative Hotolishtit në Librazhd.
Këta banorë ngrenë një shqetësim shumë të madh për zonën e tyre.
Rruga e re që po ndërtohet Elbasan Qafë-Thanë, pret në mes këtë fshat madh të Librazhdit.
Çfarë ka ndodhur?
Në projektin e parë, thonë banorët, rruga kalonte përbri lumit Shkumbin dhe nuk ndikonte në fshat.
Por ky projekt ka ndryshuar thonë banorët, pasi do të kalojë mespërmes fshatit.
Punonjës të firmës janë parë të bëjnë matje në fshat, madje u kanë thënë banorëve për projektin e ri, që prish rreth 30 shtëpi.
Por problemi s’ështe vetëm tek shtëpitë që preken, por edhe tek dëmi që shkakton kjo rrugë nëse kalon në mes të fshatit, theksojnë banorët.
Vendi ku është ndërtuar fshati Hotolisht është një rrafsh kodrinor. Dhe ajo se çfarë duan të bëjnë ndërtuesit e rrugës është ndarja e këtij fshati në mes. Ata shtojnë se kjo rrugë do ishte shkatërrimi për këtë fshat.
Banorët kërkojnë kthimin e projektit fillestar, rruga të kalojë në anë të lumit dhe po ashtu në Njësinë Administrative Hotolisht të ketë hyrje dalje në autostradë, pasi në këtë zonë jetojnë rreth 6000 banorë.
Banorët paralajmërojnë protesta, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Librazhdi është ndër zonat më respektuese të ligjit. Edhe në kohën kur nuk paguhej energjia nëpër zona të caktuara të Shqipërisë, Librazhdi ka qënë korrekt. Këta njerëz që jetojnë në këto troje, janë njerëz të urtë, punëtorë, që shikojnë hallin e tyre. Janë mbajtur me emigrim. Një jetë kanë punuar për të ndërtuar një shtëpi, e tani rruga, që duhet t’u përmirësojë jetën, po ua shkatërron.


