Një aksident tragjik ka ndodhur së fundmi në qytetin e Malagas, ku një nën-inspektor i Policisë Kombëtare Spanjolle, 48 vjeç, dhe tre persona të dyshuar si anatër të një grupi kriminal, humbën jetën pas një përplasje të makinave.
Ngjarja mësihet të ketë ndodhur pas një përpjekjeje për të vjehdur një farmaci në rrugën Lope de Rueda, në lagjen Puerto de la Torre.
Tre grabitësit shqiptarë mësohet se pasi dështuan të grabisnin farmacinë u larguan me shpejtësi në një automjet të fuqishëm.
Për rrjedhojë policia u vu menjëherë në ndjekje të tyre.
Agjencia EFE raporton se pas arratisjes grabitësit morën një kthesë të gabuar duke hyrë në drejtim të kundërt në autostradën A-7 drejt Torremolinos.
Në atë moment ndodhi përplasja fatale me makinën e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk po merrte pjesë në operacion, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate.
Përplasja e mjeteve çoi në shpërthimin në flakë të të tyre.
Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, zjarrfikësit nga stacionet Churriana, Carretera de Cádiz dhe Martiricos mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga mjetet e djegura.
Tre personat në makinën e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale nxorën nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin jetën.
Në vendngjarje ndërhynë edhe Garda Civile, Policia Kombëtare dhe shërbimet emergjente 061. Hetimet për aksidentin po drejtohen nga Departamenti i Trafikut i Gardës Civile.
Nën-inspektori i ndjerë ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte mbi 20 vite në shërbim. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.


