Bashkimi Evropian ka nisur hetime zyrtare ndaj katër prej faqeve më të njohura të përmbajtjes për të rritur — Pornhub, Stripchat, XVideos dhe XNXX — për shkelje të mundshme të ligjeve mbi mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Sipas Komisionit Evropian, këto platforma nuk zbatojnë masa efektive të verifikimit të moshës, duke rrezikuar aksesin e të miturve në përmbajtje pornografike. Hetimet zbulojnë mungesë të mjeteve parandaluese për të siguruar privatësi, siguri dhe mbrojtje adekuate për të miturit në platformat e tyre.
“Të drejtat e fëmijëve duhet të jenë prioritet në dizajnin dhe funksionimin e çdo shërbimi online,” thuhet në deklaratën e Komisionit.
Mjetet aktuale të verifikimit, si pop-up-et që pyesin thjesht “Je mbi 18 vjeç?”, konsiderohen të papërshtatshme dhe lehtësisht të manipulueshme nga të miturit.
Ky veprim është pjesë e një fushate globale për rregullimin e industrisë së pornografisë online, ku gjithnjë e më shumë vende dhe autoritete rregullatore, përfshirë edhe Ofcom në Mbretërinë e Bashkuar, po kërkojnë verifikim rigoroz të moshës dhe mbrojtje më të forta për fëmijët në internet.

